Thursday, September 10, 2026
HomeLajmeKosovëMbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët

Mbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon kërkoi që ndaj klientit të saj të merret aktgjykim lirues

Gjatë paraqitjes së argumenteve, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka kritikuar provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke pretenduar se ato mbështeten në interpretime të gabuara të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me akuzat dhe format e përgjegjësisë.

Mbrojtja ka ngritur shqetësime edhe lidhur me transkriptet e vizitave në qendrën e paraburgimit, duke pretenduar se ato janë përgatitur nga personel i ZPS-së pa një ndarje të mjaftueshme ndërmjet personave përgjegjës për transkriptimin dhe atyre të përfshirë në hetime.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja është mbështetur gjithashtu në disa dokumente që pretendohet se janë printuar nga qendra e paraburgimit, por nuk ka arritur të dëshmojë se ishte vetë Thaçi ai që i kishte printuar ato.

Mbrojtja ka kundërshtuar edhe interpretimin e kontakteve të pretenduara mes disa prej personave të përfshirë në çështje, duke argumentuar se këto kontakte nuk mund të lidhen automatikisht me çështjen “06”, pasi, sipas saj, ekzistonin edhe marrëdhënie të mëparshme profesionale dhe personale mes tyre.

Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes ishte se, pavarësisht pretendimeve të ZPS-së për një plan për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, asnjë ndërhyrje e tillë nuk ka ndodhur.“I nderuar gjykatës, ju mund të pyesni nëse narrativa e ZPS-së ka në të vërtetë ndonjë kuptim. Nëse është harxhuar kaq shumë energji për të planifikuar ndërhyrjen ndaj dëshmitarëve, pse nuk ka ndodhur kjo ndërhyrje? ZPS-ja nuk e ka shpjeguar një gjë të tillë.I nderuar gjykatës, ju mund të arrini në përfundimin se asnjë ndërhyrje ndaj dëshmitarëve nuk ka ndodhur pikërisht sepse të akuzuarit nuk kanë pasur kurrë synimin për ta bërë një gjë të tillë.”, ka argumentuar mbrojtja,

Avokatja Menegon ka theksuar se për përcaktimin e përgjegjësisë apo mospërgjegjësisë penale të Thaçit duhet të merret parasysh ligji i Kosovës, jurisprudenca vendore, legjislacioni i Dhomave të Specializuara dhe burimet përkatëse akademike.

Mbrojtja ka kërkuar që interpretimi i veprave penale dhe formave të përgjegjësisë nga Dhomat e Specializuara të jetë në përputhje me praktikën e mëparshme gjyqësore në Kosovë dhe me parimin e gjykimit të drejtë.Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar dënime me burgim për pesë të akuzuarit në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në fjalën përfundimtare, ZPS-ja ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu me nga tre vjet burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me nëntë muaj burgim.

“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, ka thënë Prokuroria.

ZPS-ja ka kërkuar që dënimet të shqiptohen siç i ka propozuar, duke specifikuar nëntë muaj burgim për Kuçin, tre vjet për Fazliun, tre vjet për Kilajn, tre vjet për Smakajn dhe gjashtë vjet për Thaçin.

Për Thaçin, Prokuroria ka kërkuar që dënimi i mundshëm të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të shqiptohet në çështjen tjetër gjyqësore ndaj tij.

“Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, ka deklaruar ZPS-ja.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram