Delegacioni i Aleancës ka bërë homazhe pranë Memorialit “Kosova Kujton”, në shenjë nderimi dhe përkujtimi për viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova qëndron pranë popullit amerikan në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.
“Sot në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit të vitit 2001, Aleanca dhe populli i Kosovës kujton me dhimbje të gjitha viktimat, mijëra viktimat e pafajshme dhe shprehim solidaritetin me familjet e tyre, qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se Aleanca e konsideron miqësinë mes Kosovës dhe SHBA-së të përhershme, duke nënvizuar se kjo marrëdhënie do të vazhdojë të kultivohet dhe të ruhet.
“Dhe Aleanca e popullit të Kosovës qëndron bashkë dhe pranë popullit amerikan dhe qeverisë amerikane në ditët e vështira, ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë qëndruar Kosovës pranë në ditët e vështira”, tha ai.
Ramadani vlerësoi se marrëdhëniet mes dy popujve janë të ndërtuara mbi vlerat e lirisë, paqes, barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Sipas tij, përkujtimi i 11 Shtatorit shërben edhe si një rikujtim për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe çdo forme të dhunës.
“Miqësia jonë është e bazuar në parimet e lirisë, paqes, barazisë dhe dinjitetit njerëzor, dhe dhimbja kujtimi për dhimbjen e 11 Shtatorit 2001 na rikujton edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të shteteve dhe popujve në luftën kundër terrorizmit global dhe çfarëdolloj forme të dhunës që ndodh nëpër botë”, pohoi Ramadani.

