Një shpërthim i fuqishëm ndodhi gjatë natës në një depo armësh në Bullgarinë qendrore, pas së cilës shpërtheu një zjarr i madh që u përhap nga një ndërtesë në tjetrën. Zjarri ndriçoi qiellin e natës dhe deri më tani nuk ka raportime për të lënduar. Ky është shpërthimi i dytë në objektet ushtarake bullgare vetëm brenda pak javësh.
Zjarri shpërtheu pranë fshatit Tsareva Livada, në një vend të menaxhuar nga kompania EMCO e tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev. Pamjet e publikuara në mediat lokale tregojnë një zjarr të madh që ndriçoi zonën gjatë natës.
“Në këtë moment, zjarri ka përfshirë zonën e magazinës së fabrikës. Po përhapet nga një magazinë në tjetrën”, tha guvernatorja rajonale e Gabrovos, Kristina Sidorova.
Fakti që po flasim për një kompani, objektet e së cilës kanë qenë shënjestra të shpërthimeve dhe sabotimeve të dyshuara është me interes të veçantë. EMCO gjithashtu pësoi një shpërthim muajin e kaluar në një tjetër objekt të saj.
Kompania drejtohet nga tregtari bullgar i armëve Emilian Gebrev, për të cilin prokurorët bullgarë më parë pretenduan se ishte një shënjestër e operativëve rusë.
Në vitin 2024, Bullgaria lëshoi urdhër-arreste për gjashtë shtetas rusë me dyshimin për përfshirje në shkatërrimin e depove të EMCO-s midis viteve 2011 dhe 2020. Municionet e destinuara për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji ruheshin në ato ambiente.
Prokurorët bullgarë deklaruan më pas se kishte arsye për të dyshuar se shpërthimet në Bullgari ishin të lidhura me tentativën e helmimit të Gebrevit në vitin 2015, si dhe shpërthimet në depot e municioneve në Republikën Çeke në vitin 2014.
Moska i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në këto incidente.
Deri më tani, nuk ka indikacione se shpërthimi i fundit është rezultat i sabotimit ose se Rusia qëndron pas tij, dhe shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.

