Ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja njoftoi sot përmes një videomesazhi në rjretet sociale se Dea e Butrintit kthehet në shtëpi duke iu mundësuar vizitorëve ta shohin nga afër.
Kthimi i veprës së çmuar të trashëgimisë sonë vjen pas një rrugëtimi nga qyteti antik drejt Romës dhe më pas në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Gonxhja tha se një prej veprave më të çmuara të trashëgimisë arkeologjike rikthehet në vendin ku u zbulua.
“Rikthimi i Deas pasuron rrëfimin e Butrintit dhe u mundëson vizitorëve të shohin nga afër një dëshmi të jashtëzakonshme të historisë, artit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane”, shtoi ministri.
Sipas tij, me mbi 200 mijë vizitorë këtë 8-mujor, Butrinti po forcon rolin e tij si një prej destinacioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri, një vend ku trashëgimia nuk mbetet vetëm dëshmi e së shkuarës, por krijon dije, mundësi dhe zhvillim për të ardhmen.
Gonxhja falënderoi gjithë ekipin që punoi për këtë rimuzeim të Deas në Butrint, pa harruar të shprehë mirënjohjen e thellë për AADF duke garantuar mbështetjen për modele suksesi si e cilësoi ai modelin e prekshëm përmes Fondacionit për Menaxhimin e Butrinti.

