Monday, September 14, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Mbi 1 miliard euro për ushtrinë në katër vitet e ardhshme

Kurti: Mbi 1 miliard euro për ushtrinë në katër vitet e ardhshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të Programit Qeveritar dhe kabinetit të ri qeveritar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe forcim të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kryeministri Kurti ka deklaruar se gjatë katër viteve të ardhshme për ushtrinë do të ndahen mbi një miliard euro.

“Për ushtrinë tonë do të ndajmë mbi 1 miliard euro gjatë katër viteve në vijim”, tha ai.

Kurti ka paralajmëruar gjithashtu zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fokus në prodhimin e pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

“Industria ushtarake Made in Kosova do të përqendrohet në municion, dronë, robotë dhe teknologji të tjera mbrojtëse”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, prodhimi vendor i municionit pritet të nisë brenda vitit 2026, ndërsa janë përfunduar edhe zhvillimet e para në fushën e robotikës.

“Prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026, ndërsa zhvillimi i robotëve të parë është përfunduar”, tha ai.

Në fushën e bashkëpunimit rajonal, kryeministri ka paralajmëruar krijimin e një njësie të përbashkët ushtarake me Shqipërinë, si dhe bashkëpunim në edukim dhe bashkëprodhim.

“Me Republikën e Shqipërisë do ta krijojmë Njësinë Ushtarake të Përbashkët dhe do të bashkëpunojmë në edukim e bashkëprodhim”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për rritjen e numrit të grave në FSK, duke vendosur si objektiv që brenda mandatit numri i tyre të arrijë në 1 mijë.

“Do ta shtojmë rekrutimin, me synim që brenda mandatit ushtria të ketë 1 mijë gra e vajza ushtarake, nga rreth 400 sa janë aktualisht”, theksoi ai.

Në kuadër të Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, qeveria synon edhe trajnimin e rezervistëve vullnetarë.

“Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do t’i trajnojë rezervistët vullnetarë”, tha ai.

Po ashtu, profesionistëve me prejardhje nga Kosova që aktualisht shërbejnë në ushtritë aleate, si dhe profesionistëve nga Shqipëria, do t’u mundësohet kalimi në FSK.

“E profesionistëve me prejardhje nga Kosova që shërbejnë në ushtritë aleate, si dhe profesionistëve nga Shqipëria, do t’u mundësohet kalimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Kurti ka vënë theksin te bashkëpunimi me vendet e NATO-s, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e lidhur këtë bashkëpunim me përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Aleancë.

“Bashkëpunimi me shtetet e NATO-s, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i përshpejtojë përgatitjet tona për anëtarësim”, tha Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram