Sunday, September 13, 2026
HomeLajmeKosovëPolicia sqaron masat para 16 shtatorit:, thotë se Kosova nuk po blindohet

Policia sqaron masat para 16 shtatorit:, thotë se Kosova nuk po blindohet

Policia e Kosovës ka sqaruar planifikimin e masave të sigurisë para 16 shtatorit, kur pritet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas policisë, hartimi i planeve operative është procedurë e rregullt kur paralajmërohen tubime, aktivitete publike ose pjesëmarrje e madhe e qytetarëve. Policia theksoi se masat synojnë menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e qarkullimit normal të trafikut.

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në disa portale, sipas të cilave Kosova po “blindohet” në prag të një vendimi të mundshëm në Hagë, duke sqaruar se planifikimi i masave të sigurisë është pjesë e procedurave të rregullta policore.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia ka thënë se masat e sigurisë ndërmerren në bazë të vlerësimit të situatës, sidomos në rastet kur priten aktivitete, zhvillime të ndryshme apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve.

“Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë, ju bëjmë me dije se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, këto masa janë ndërmarrë edhe gjatë aktiviteteve të mëparshme, përfshirë marshin solidarizues paqësor të 12 shtatorit.

“Masat planifikohen në funksion të menaxhimit të sigurt të tubimeve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, qarkullimit të trafikut rrugor si dhe garantimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve”, sqaron Policia e Kosovës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se gjatë vlerësimeve të situatës merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe persona nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.

Policia thekson se bëhet fjalë për masa parandaluese dhe standarde, të cilat aplikohen në varësi të numrit të pritshëm të pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të situatës.

Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.

“Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm në opinion”, thuhet në njoftim.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram