Forumi Shqiptar i ka kërkuar kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, afate konkrete për përmbushjen e kërkesave që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse ato nuk realizohen, Kryesia e kësaj partie do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Lideri i Forumit Shqiptar, zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka bërë të ditur sot se Kryesia e kësaj partie ka miratuar një përfundim me të cilin e ka ngarkuar atë që ta njoftojë kryeministrin malazez Milojko Spajiq për kërkesat e tyre dhe t’i propozojë afate konkrete për realizimin e tyre. Letra drejtuar kryeministrit ende nuk është dërguar zyrtarisht, për çka zëvendëskryeministri Gjeloshaj, siç ka thënë për televizionin podgoricë Vijesti, nuk dëshiron të paragjykojë vendimet e mëtejshme të Forumit Shqiptar. Kur dokumenti të harmonizohet dhe t’i dorëzohet kryeministrit Spajiq, publiku, siç ka paralajmëruar, do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet.
Ndër kërkesat e Forumit Shqiptar është që Ulqini të marrë statusin e qytetit, por edhe shkarkimi i drejtoreshës së sapoemëruar të Shkollës së Mesme të Përzier në Ulqin, Snezhana Zhivanoviq. Zëvendëskryeministri Gjeloshaj pretendon se Zhivanoviq nuk e di gjuhën shqipe, që sipas tij është një nga kushtet për ushtrimin e funksionit të drejtorit në shkollat në mjediset e pakicave.
RTKLive së fundmi ka shkruar për problemet në shkollën e përzier të Ulqinit, si dhe, në lidhje me këtë, për polemikën publike ndërmjet zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj dhe ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Anxhela Jakshiq Stojanoviq.
Forumi Shqiptar kërkon gjithashtu që menaxhimi i të mirave detare t’u rikthehet komunave bregdetare, si dhe të realizohen projektet kapitale në mjediset e pakicave.
Në listën e kërkesave janë edhe përfaqësimi autentik politik i shqiptarëve, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare dhe i gjuhës shqipe, përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucione, ndarja e pronës ndërmjet Tuzit dhe Podgoricës, si dhe përmirësimi i pikave kufitare.
Nëse kërkesat e Forumit Shqiptar nuk përmbushen brenda afateve që do të propozojë, Kryesia e kësaj partie do të vendosë për hapat e ardhshëm.
Forumi Shqiptar është një aleancë politike në Mal të Zi që bashkon partitë kombëtare shqiptare. Fillimisht u formua si koalicion parazgjedhor para zgjedhjeve lokale në Tuz në vitin 2019, ndërsa përbëhet nga Alternativa Shqiptare (AA) dhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve (LDSH). Gjatë vitit 2026, Forumi Shqiptar zyrtarisht u shndërrua nga koalicion në një parti të vetme politike.
Forumi Shqiptar është pjesë e shumicës parlamentare në Mal të Zi dhe pjesë e Qeverisë së kryeministrit Milojko Spajiq. Lider i Forumit Shqiptar është Nik Gjeloshaj, i cili ushtron funksionin e zëvendëskryeministrit për Politikën Ekonomike dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Përveç tij, anëtar i Qeverisë nga kjo parti është edhe Maraš Dukaj, i cili është ministër i Administratës Publike.
Forumi Shqiptar në Kuvend përfaqësohet nga dy deputetë – Nikola Camaj, i cili është edhe nënkryetar i parlamentit, dhe Artan Çobi.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.

