Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një takim njohës me këshilltarin e ri dhe ekspertin për çështjet e krimit transnacional të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së – Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnim në Hetimin Penal (DOJ-ICITAP).
Në takim, Hoxha ishte i shoqëruar nga zyrtarë të menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, ndërsa këshilltari i ri shoqërohej nga drejtori i zyrës INL pranë Ambasadës së SHBA-së dhe ndihmës zëvendësdrejtori nga zyra qendrore e ICITAP-it.
Hoxha i uroi mirëseardhje këshilltarit në detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me Ambasadën e SHBA-së, DOJ-ICITAP-in dhe partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet e Policisë së Kosovës dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.
Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen afatgjatë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht përmes DOJ-ICITAP-it.
Në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Hoxha iu bashkua partnerëve amerikanë në përkujtimin e viktimave, duke theksuar ndikimin që këto ngjarje kanë pasur në punën policore dhe në qasjet globale për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
Takimi përfundoi me angazhimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës së SHBA-së, INL-it dhe ICITAP-it, si dhe për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit transnacional.

