Monday, September 14, 2026
HomeGjeopolitikOpinionTurp profesional: Kur emri deputetes përdoret si karrem për klikime!

Turp profesional: Kur emri deputetes përdoret si karrem për klikime!

Vladimir Muçaj

Turp profesional: Kur emri i deputetes përdoret si karrem për klikime

Nëse një ngjarje periferike në Roskovec nuk ka asnjë lidhje me deputeten Zeqine Caushi, përse emri i saj duhet të vendoset në krye të lajmit vetëm sepse personi i arrestuar pretendohet të jetë i afërmi i saj?
Kjo nuk është më çështje stili. Është çështje standardi profesional.
Raportimi i ngjarjeve të kronikës është detyrë e medias. Por përmendja e çdo detaji, çdo lidhjeje familjare apo çdo emri të njohur nuk e bën automatikisht lajmin më të rëndësishëm. Përkundrazi, kur këto detaje përdoren pa një interes real publik, ato e ulin standardin e raportimit.
Në rastin konkret, referuar komunikatës së Policisë, kemi një konflikt mes dy personave, arrestimin e njërit prej tyre dhe vijimin e procedurave ligjore. Ky është lajmi.
Në disa media, megjithatë, lajmi u “pasurua” me emrin e deputetes Zeqine Caushi, duke e lidhur të arrestuarin me të si dajua.
Ndërsa shkruaj këto radhë, personalisht nuk e kam verifikuar nëse kjo lidhje familjare është e saktë. Mund ta kisha bërë, por nuk e konsiderova të nevojshme. Sepse edhe sikur të jetë e vërtetë, çfarë përgjegjësie ka deputetja për një veprim të një të afërmi, nëse ajo nuk ka pasur asnjë rol në ngjarje?
Asnjë.!
Do të ishte krejt tjetër nëse ajo do të ishte e përfshirë, do të kishte ndërhyrë në institucionet ligjzbatuese apo do të kishte përdorur funksionin e saj publik në favor të të afërmit. Atëherë emri i saj do të ishte padyshim me interes publik.
Por në mungesë të kësaj lidhjeje, emri i deputetes duket se shërben vetëm për një qëllim: ta bëjë lajmin më të klikueshëm.
Dhe pikërisht këtu media duhet të ndalet.
Sepse nuk mund të përdorësh një funksionar publik si “karrem” sa herë që një i afërm i tij përfshihet në një konflikt personal. Sot është dajua i një deputeteje; nesër mund të jetë kushëriri i një ministri, vëllai i një kryebashkiaku apo dhe gazetari!
Nëse kjo bëhet standard, atëherë çdo kronikë mund të kthehet në një lajm politik vetëm duke gjetur një lidhje familjare.
Kjo nuk e forcon gazetarinë. E dobëson atë.
Sipas meje, përmendja e panevojshme e emrit të deputetes Zeqine Caushi në këtë rast është një turp profesional i medias.
Jo sepse politikanët duhen kursyer. Përkundrazi, pushteti duhet kontrolluar dhe kritikuar fort. Por kritika ndaj pushtetit duhet të mbështetet mbi fakte dhe përgjegjësi konkrete, jo mbi lidhje familjare të rastësishme.
Media nuk duhet të kërkojë politikanin brenda çdo lajmi.
Duhet të kërkojë të vërtetën brenda çdo lajmi.
Dhe kur emri i një deputeteje vendoset në titull për një ngjarje ku ajo nuk ka asnjë rol, vetëm për të tërhequr klikime, atëherë nuk është lajmi që është bërë më i madh.
Është standardi profesional që është bërë më i vogël.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram