Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka marrë vendime për masa të përkohshme parandaluese dhe kontrolle të intensifikuara për aflatoksinën, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së ushqimit dhe shëndetit të konsumatorëve.
“Pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në koncentratin për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, të prodhuar nga DE HEUS D.O.O., Republika e Serbisë, është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te fermat ku është përdorur. Njëkohësisht, është vendosur masë e përkohshme parandaluese për 30 ditë ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të kodit tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë”, njofton Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë kësaj periudhe, AUV obligohet të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, mbi bazën e të cilit do të përcaktohen masat e mëtejshme.
Po ashtu, janë vendosur kontrolle të intensifikuara për AFB1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë në ushqimin për lopë qumështore. Për periudhën fillestare, zbatohen kontrolle të shtuara, mostrim dhe analiza laboratorike sipas masave të përcaktuara me vendim.
“Masat janë të përkohshme dhe parandaluese dhe do të rishikohen mbi bazën e rezultateve laboratorike dhe vlerësimit të rrezikut. Qëllimi është identifikimi i rrezikut në burim, mbrojtja e shëndetit publik dhe parandalimi i hyrjes së produkteve jokonforme në zinxhirin ushqimor”, njofton Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

