Tuesday, September 15, 2026
HomeEkonomiOda Ekonomike e Kosovës anëtarësohet në sistemin ATA Carnet

Oda Ekonomike e Kosovës anëtarësohet në sistemin ATA Carnet

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se kërkesa e saj për anëtarësim në ATA Carnet, rrjetin ndërkombëtar garantues për lëvizjen e përkohshme të mallrave, është miratuar zyrtarisht nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC).

”Ky është një hap historik për Kosovën dhe biznesin kosovar, pasi përfshirja në sistemin ATA Carnet krijon mundësi të reja dhe lehtëson ndjeshëm procedurat për kompanitë dhe institucionet kosovare që kanë nevojë të lëvizin përkohësisht mallra, pajisje dhe produkte përtej kufijve”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Sipas kësaj ode, përmes këtij sistemi, bizneset kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë nga procedura më të lehta doganore, ulje të kostove dhe kursim të kohës, duke e bërë lëvizjen ndërkombëtare të mallrave më të thjeshtë dhe më efikase.

“Anëtarësimi në ATA Carnet përbën një hap konkret drejt integrimit më të thellë të Kosovës në tregtinë ndërkombëtare, reduktimit të barrierave për bizneset dhe krijimit të kushteve më të barabarta për kompanitë kosovare në raport me bizneset e rajonit dhe Evropës”, theksohet tutje në komunikatë.

Sipas OEK-ut, për vite me radhë, bizneset kosovare janë përballur me procedura dhe barriera që nuk i kanë pasur kompanitë e vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës.

“Me përfshirjen në sistemin ATA Carnet, koha e trajtimit ndryshe të kompanive kosovare po kalon. Ky mekanizëm do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për bizneset që marrin pjesë në panaire, ekspozita, ngjarje dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, duke ua mundësuar transportin e përkohshëm të mallrave dhe pajisjeve në mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë”, thekson tutje OEK-u.

Sipas Odës Ekonomike përfshirja e Kosovës në këtë sistem ndërkombëtar është dëshmi se ekonomia e Kosovës po bëhet pjesë e mekanizmave globalë që e lehtësojnë dhe e avancojnë tregtinë ndërkombëtare.

“Kosova po bëhet pjesë e një sistemi që e bën tregtinë më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më konkurruese. Oda Ekonomike e Kosovës e konsideron këtë një arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit ndërkombëtar të ekonomisë së Kosovës dhe do të vazhdojë punën për t’i afruar bizneset kosovare me tregjet evropiane dhe globale”, përfundon komunikata e OEK-ut.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram