Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara që po qarkullojnë, e që në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin e falsifikuar të institucioneve të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se dokumenti që po qarkullon nuk është njoftim zyrtar i saj dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të tilla.
Qytetarët këshillohen të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.
Sipas Policisë, janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për informacionet zyrtare, qytetarët duhet t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve.
Policia ka publikuar edhe disa këshilla për qytetarët në rast se pranojnë mesazhe të dyshimta:
Mos klikoni në linqe të dyshimta.
Mos jepni të dhëna bankare apo personale.
Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Fshijeni menjëherë mesazhin e dyshimtë.
Raportojeni rastin tek autoritetet përkatëse.
Kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna bankare.
Raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në numrin 192.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së qytetarëve, informimit të saktë dhe parandalimit të mashtrimeve dhe keqpërdorimit të identitetit institucional.

