Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Rainer Rudolph ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Ambasadori tha se çështja gjyqësore kishte të bënte me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai theksoi se, siç deklaroi edhe kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si e tillë nuk ishte në gjykim, sikurse as synimi i saj për një Kosovë të pavarur.
Gjermania, sipas tij, e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga fillimi, duke e konsideruar atë një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, forcimin e sundimit të ligjit dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin.
Deklaratë e plotë e ambasadorit gjerman në Kosovë lidhur me shpalljen e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 16.09.26, në procesin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve:
Sot Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën aktgjykimin. Në qendër të procesit ishin akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Siç theksoi kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, procesi nuk kishte të bënte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si të tillë dhe me synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.
Gjermania e ka mbështetur gjithmonë punën e Dhomave të Specializuara – me bindjen se kjo përbën një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, forcimin e sundimit të ligjit dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova, përmes themelimit të Dhomave të Specializuara, si dhe përmes bashkëpunimit me ICTY-në, ka dëshmuar se po përmbush përgjegjësinë e saj edhe sa i përket trajtimit të krimeve të luftës.
Ky aktgjykim në asnjë mënyrë nuk i përjashton aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut, të kryera ndaj popullsisë në Kosovë në fund të viteve ’90, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe kanë çuar në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin dhe të respektojnë dinjitetin e viktimave.

