ATSH
Këshilli i Ministrave vendosi sot pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura me 17 ushtarakë dhe një helikopter, në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR” në Kosovë.
Misioni i personelit është kryerja e mbështetjes nga ajri të forcave të KFOR-it gjatë kryerjes së detyrave për njohje terreni, zbulim, patrullim, rastet CASEVAC, SAR, transport VIP dhe trupash në zonën e operacionit të KFOR.
Po ashtu ushtarakët shqiptarë do të mbështesin popullsinë në raste emergjencash civile, sipas planeve dhe marrëveshjes së KFOR-it me Kosovën.
Venddislokimi i helikopterit dhe personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në kampin Boondsteel, Ferizaj, Kosovë.
Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2029 dhe periudha e qëndrimit në mision është me sistem rotacioni deri në 3 muaj për personelin e kontingjentit dhe 6 muaj për helikopterin.
Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore.
Po ashtu ushtarakëve pjesëmarrës në këtë mision u mbulohet akomodimi, ushqimi, si dhe çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

