Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë të 16 shtatorit, duke deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.
Qëndrimi është bërë i ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, përkatësisht Kryesisë Qendrore të BDI-së, të udhëhequr nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Sipas BDI-së, në mbledhje është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, forcimin e kapaciteteve strukturore dhe organizative të partisë, si dhe për vendimin e Dhomave të Specializuara.
BDI ka deklaruar se në kohën kur vëmendja e shqiptarëve është e përqendruar te Haga dhe vendimi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, është e rëndësishme të rikujtohet se si nisi procesi dhe mbi çfarë pretendimesh u ngrit.
“Procesi që çoi drejt krijimit të Gjykatës Speciale mori shtysë nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet e rënda për trafikim organesh”, thuhet në qëndrimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, pas viteve të hetimeve dhe procesit gjyqësor, pretendimet për trafikim organesh nuk u dëshmuan, ndërsa partia ka pretenduar se “në mungesë të fakteve u sajua një proces kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit”.
Edhe një ditë më parë, Ahmeti kishte reaguar ndaj aktgjykimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe zhgënjyes.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Historia e kësaj lufte dhe sakrifica e një populli për liri nuk mund të gjykohet në një proces të sajuar gjyqësor”, ka deklaruar BDI.
Partia është deklaruar edhe për protestat e organizuara pas shpalljes së aktgjykimit, duke i konsideruar ato formë legjitime të shprehjes qytetare.
“Qytetarët kanë të drejtë të shprehin qëndrimet dhe pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore dhe jo të dhunshme”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, BDI ka bërë thirrje që, sipas saj, të mos tjetërsohet historia e luftës së UÇK-së.
“Të mos lejojmë që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet”, thuhet në qëndrimin e BDI-së.

