Krusha e Madhe e komunës së Rahovecit mbetet një nga dëshmitë më të dhimbshme të krimeve të pushtuesit serb të kryera mbi popullsinë civile në vitin 1999-të. 241 civilë të vrarë, të masakruar e zhdukur, ndërsa ende 64 varre kanë mbetur të hapura, pa emër.
Për këtë masakër u gjykua Darko Tasiq, dënimin e të cilit familjarët e viktimave e cilësojnë qesharak.
“Si ka mundësi që një njeri i cili një kamion të tërë me trupa ta hedhë në lumë bashkë me të tjerët të cilët dihen me emër e mbiemër, të marrin një dënim prej 11 vitesh, vetëm ai jo të tjetër pasi nuk ka treguar asnjëherë, ndërsa dje për krime të supozuara, pa dëshmitarë, secilit ju dha nga 25 vjet””, tha për RTK, Selami Hoti- Familjar i viktimave të masakrës së Krushës.
Sipas Selami Hotit, në Krushë të Madhe pas luftës erdhën tribunale të ndryshme ndërkombëtare, por dëshmitë e tyre nuk u morën seriozisht.
“Këtu në këtë vend, edhe pse kanë ardh shumë njerëz nga tribunali dhe tribunale të tjera, asnjëherë këto dëshmi nuk u morën seriozisht, por gjithmonë na është thënë se luftë ishte duhet të vazhdoni të jetoni”, tha Selami Hoti- Familjar i viktimave të masakrës së Krushës.
“Për këta 241 të masakruar dhe të zhdukurit, asnjë person të masakrës së Krushës së Madhe që e kryen këtë akt, nuk u dënu asnjëherë. Janë thirrë disa për dëshmitarë dhe janë largu pa marrë dëshmi prej tyre””, tha Irfan Ramadani- Përgjegjës i Muzeut të Luftës.
Muzeu i Luftës në Krushë të Madhe ka shumë dëshmi, shumë artefakte konkrete, por për këta viktima nuk u përgjigj askush, thotë Irfan Ramadani, përgjegjës i muzeut.
Krushjanët kërkojnë që të gjithë të bëhen bashkë e të mos lejojnë njollosjen e gjakut të derdhur për liri.
“Në qoftëse me katër persona kanë vënë drejtësinë që sipas atyre , nuk ishte për pjesën e UÇK-së, atëherë ku janë për masakrat me mijëra që janë bërë në Kosovë në vitin 98-99, pse për ne me pas këtë lloj drejtësie e për të tjerët nuk gjykohet askush”, tha Irfan Ramadani- Përgjegjës i Muzeut të Luftës.
“Edhe Tirana duhet të involvohet sepse nuk duhet të ndihet mirë njëra pjesë e kombit ndërsa pjesa tjetër vuan.Duhet të ketë një platformë mbarë kombëtare, duhet të bëhen bashkë akademikë dreq e të birë, gjithsecili më i mirë se tjetri”, tha Selami Hoti- Familjar i viktimave të masakrës së Krushës.
Si Krusha e Madhe e Rahovecit, Krusha e Vogël e Prizrenit dhe shumë familjarë të tjerë që forcat serbe iu vranë e masakruan burrat gratë fëmijët, thonë se e përjetuan rëndë dënimin e krerëve të UÇK-së. Ata thonë se asnjëherë nuk guxon të barazohet vrasësi me viktimën.

