ATSH
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, foli rreth vizitës së tij në SHBA, ku mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane në Teksas dhe zhvilloi takime me kongresmenë, senatorë dhe përfaqësues të administratës amerikane.
Berisha tha se në qendër të takimeve ishte situata politike në Shqipëri, lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, si dhe zhvillimet në drejtësi dhe zgjedhje.
Ai vlerësoi fjalimet e presidentit Donald Trump në konventë, duke deklaruar se mesazhet e tij kundër komunizmit dhe karteleve të drogës përbëjnë, një mbështetje për ata që përballen me këto fenomene.
Berisha falënderoi gjithashtu diasporën shqiptare në SHBA për pritjen dhe mbështetjen, duke thënë se ajo është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet e opozitës.
Kreu i PD-së tha se një nga temat kryesore të diskutimeve ishte ajo që ai e cilëson si “narkoshtet”. Sipas Berishës, kjo situatë ka pasoja në ekonomi, demokraci, rend dhe të drejtat e qytetarëve.
“Dy janë çështjet themelore në të cilat ne u ndalëm në takimet tona. Narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, me efekte shkatërrimtare mbi ekonominë, mbi demokracinë, mbi rendin, mbi të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Pasojat e tij, shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë elektorale si dhe kontrollin total të Edi Ramës mbi drejtësinë, përdorimin e saj si armë politike”, tha Berisha
Sipas, Berishës, mesazhi më i rëndësishëm nga partnerët në SHBA është mbrojtja e vlerave të përbashkëta.
“Mesazhi më i rëndësishëm nga partnerët tanë është mbrojtja e atyre vlerave që janë të përbashkëta për shqiptarët dhe amerikanët si dhe konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit miqësore, partneriteti me SHBA. Në fakt, duhet të jemi të hapur, asnjë vend në botë pa mbështetjen e tyre nuk mund të luftojë trafikun e drogës me sukses. Asnjë vend në botë pa mbështetjen e tyre nuk mund të luftojë me sukses terrorizmin. Por presidenti Donald Trump i ka vlerësuar si organizata terroriste kartelet e drogës dhe kjo është një rëndësi e shumë të madhe, shumë, shumë të madhe”, tha ai.

