Sunday, September 20, 2026
HomeTurizëmGonxhja: Mbi 9,4 milionë vizitorë të huaj hynë në Shqipëri në 8...

Gonxhja: Mbi 9,4 milionë vizitorë të huaj hynë në Shqipëri në 8 muaj

Turizmi shqiptar vijon të shënojë sezon pozitiv, duke konfirmuar interesin në rritje të vizitorëve të huaj dhe potencialin e vendit për të konsoliduar më tej pozicionin si një destinacion i rëndësishëm në tregun ndërkombëtar.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja tha sot se “mbi 9,4 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë 8-mujorit të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 5,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”.

Sipas tij, vetëm gjatë muajit gusht Shqipëria u vizitua nga mbi 2,4 milionë turistë të huaj, 2% më shumë se gushtin e kaluar.

Ministri Gonxhja u shpreh se prioritet është që kjo ecuri të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm përmes investimeve cilësore, ekonomisë së eventeve, rijetëzimit të trashëgimisë dhe zgjerimit të ofertës turistike gjatë gjithë vitit, për më shumë punësim, ekonomi më të forta vendore dhe mirëqenie për familjet shqiptare.

“Shqipëria vijon të tërheqë interes dhe përgjegjësia jonë është që këtë interes ta kthejmë në zhvillim të qëndrueshëm, në investime dhe në mirëqenie për qytetarët. Kultura dhe trashëgimia janë pjesë thelbësore e kësaj pune. Me projektet për rijetësimin e shtëpive monument kulture, si në Gjirokastër, të manastireve dhe objekteve të tjera të trashëgimisë, me rijetësimin e kullave të veriut dhe me mijëra aktivitete turistike e kulturore në vend, krijojmë më shumë arsye për ta vizituar Shqipërinë në çdo stinë”, thuhet në videon e publikuar nga Gonxhja.

Duke i dhënë jetë trashëgimisë krijohen mundësi për bizneset e vogla, artizanët, të rinjtë dhe familjet që jetojnë në këto komunitete.

“Këtë punë e çojmë edhe përtej kufijve, përmes aktiviteteve promovuese dhe pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare, ku prezantojmë ofertën turistike të Shqipërisë, por edhe mundësitë që vendi ynë u ofron investitorëve të huaj. Na duhen investime që rrisin standardet, zgjerojnë ofertën dhe krijojnë vende pune. Ndërkohë, shtimi i linjave ajrore gjatë gjithë vitit dhe i atyre sezonale, me lidhje drejt destinacioneve të reja, e bën Shqipërinë më të arritshme dhe na afron me tregje të reja”, theksohet në videon promovuese.

Objektivi i qeverisë është ta kthejë interesin për Shqipërinë në përfitime konkrete për shqiptarët, më shumë turizëm, më shumë punësim, më shumë të ardhura për familjet dhe më shumë zhvillim në të gjithë vendin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram