Saturday, September 19, 2026
HomeLajmeKosovëPolicia:Protesta në Prishtinë e qetë, shqetësim vozitja e rrezikshme pas mesnate

Policia:Protesta në Prishtinë e qetë, shqetësim vozitja e rrezikshme pas mesnate

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protesta e mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka kaluar kryesisht e qetë.

Sipas policisë, protesta ka nisur rreth orës 21:00, ndërsa njësitë policore kanë menaxhuar situatën e sigurisë, kanë monitoruar zhvillimet dhe kanë kontrolluar qarkullimin e trafikut.

“Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë. Megjithatë, sipas policisë, një pjesë e tyre janë zhvendosur në drejtim të bazës së EULEX-it, ku kanë vazhduar protestën për rreth 30 minuta.

“Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të defilojnë nëpër disa rrugë të kryeqytetit. Defilimet e tyre me vetura përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye, Policia ka ndërmarrë masa shtesë, duke përfshirë ndërprerjen dhe riorientimin e përkohshëm të trafikut, me qëllim të shmangies së bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme.

Sipas policisë, këto veprime kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.

Policia ka thënë se do të vazhdojë të angazhohet në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë demokratike dhe në pajtim me ligjet në fuqi.

Në të njëjtën kohë, ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj personave që shkelin ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka apeluar për kujdes të shtuar, respektim të ligjeve dhe rregullave të trafikut, si dhe për të shmangur dëmtimin e pronës publike dhe private.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram