Monday, September 21, 2026
HomeLajmeKosovëProjekti i rrugës Deçan-Plavë vazhdon të jetë i bllokuar

Projekti i rrugës Deçan-Plavë vazhdon të jetë i bllokuar

Rruga e cila synon të lidhë Deçanin me Plavën, e konsideruar si jetike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të kësaj zone, po vazhdon të mbetet e papërfunduar. Edhe pse punimet kanë nisur vite më parë, projekti ka ngecur në disa segmente, veçanërisht në pjesën e parë prej pesë kilometrash pranë Manastirit të Deçanit, për shkak të kontesteve të vazhdueshme me këtë institucion fetar.

E pagëzuar nga banorët vendas si “rruga e zhvillimit”, magjistralja përgjatë Grykës së Deçanit vazhdon të mbetet një projekt i gjysmëpërfunduar. Rrugëtimi i këtij aksi infrastrukturor ka qenë i shoqëruar me barriera të shumta që nga fillimi.

Segmenti i parë prej pesë kilometrash, i cili nis pranë Manastirit të Deçanit, ka qenë vija më e nxehtë e bllokimit, pasi udhëheqja e manastirit ka kundërshtuar në vazhdimësi ndërtimin, duke u thirrur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Mirëpo, ngecja nuk kufizohet vetëm në këtë zonë delikate. Edhe në pjesë të tjera përgjatë grykës piktoreske, punimet kanë mbetur në gjysmë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe duke zbehur shpresat e bizneseve lokale për një lidhje të shpejtë me Malin e Zi.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga niveli qendror për të zgjidhur ngatërresat ligjore dhe për të rifilluar asfaltimin e plotë të kësaj rruge strategjike.

“Në këtë rrugë kanë filluar diku para 7-8 viteve investimet dhe janë ndaluar. është edhe pasojë politike për këtë pjesën kah është në zonën e mbrojtur. Kjo po ndikon shumë negativisht te blegtorët edhe te këto agrobsineset që kanë filluar me disa objekte hoteliere të cilat në mungesë të infrastrukturës kanë shumë humbje. Deçani do të kishte një zhvillim të hovshëm ekonomik edhe komplet rajoni sepse kjo rrugë e lidh edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë”, tha Milazim Mushkolaj, banor.

“Kemi humbje jashtëzakonisht të mëdha sidomos ky segmenti rrugor që është prej 5 kilometrash edhe dihet që nuk ka ndonjë ndikim negativ por presioni ndërkombëtar ka bërë që të stagnojmë edhe për momentin të mos investohet. Ndoshta në një të ardhme do të realizohet edhe kjo, po e shohim që gjithmonë në prapavijë është Manastiri i Deçanit për arritjen e qëllimeve të veta që i ka, do të thotë që e pengon zhvillimin ekonomik të Deçanit”, tha Adem Lushaj, njohës i turizmit.

Përderisa segmenti i parë mbetet peng i ngatërresave ligjore, pjesa tjetër e rrugës po pret ndërhyrjen e ekzekutivit.

“Ne kemi mbetur në vendnumëro, komuna e ka kryer pjesën e vet, i ka kryer obligimet e veta, tash pjesën tjetër të punës duhet me e krye ministria e infrastrukturës, gjegjësisht qeveria e Republikës së Kosovës që ka të bëj me procedurat e ritenderimit, që të realizohet si projekt në plotni i cili kishte me i jep një impuls tepër të madh zhvillimit ekonomik të këtij qyteti e kësaj zone në tërësi”, tha Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.

Finalizimi i kësaj infrastrukture shkon përtej thjesht shtrimit të asfaltit. Rruga Deçan – Bjeshka e Belegut, me një gjatësi prej rreth 28 kilometrash, përfaqëson një ndër projektet më strategjike kapitale të komunës. Ky aks rrugor pritet të hapë perspektiva të jashtëzakonshme, sidomos për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram