Fuqizimi i bashkëpunimit doganor dhe lehtësimi i tregtisë përmes menaxhimit modern të kufijve ishin në fokus të ditës së parë të seminarit që po zhvillohet në Durrës, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe Doganës së Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja bëri të ditur se aktiviteti zhvillohet me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e Ligjit Tregtar (CLDP) të Departamentit Amerikan të Tregtisë dhe ekspertëve të Agjencisë së SHBA-së për Dogana dhe Mbrojtje të Kufirit (CBP).
Diskutimet u përqendruan te përpunimi para mbërritjes, menaxhimi i riskut, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi ndërmjet dy administratave doganore, me synim përmirësimin e proceseve dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Ekspertët e CBP-së ndanë përvojën dhe praktikat e SHBA-së në përpunimin para mbërritjes, zhdoganimin e bazuar në risk, koordinimin ndërinstitucional dhe përdorimin e informacionit elektronik në proceset e vendimmarrjes.
Në fokus ishte edhe digjitalizimi i proceseve doganore dhe Dritarja e Vetme Doganore, duke u diskutuar mundësitë për shkëmbim më efikas të të dhënave, reduktimin e procedurave të dyfishta dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet autoriteteve kufitare dhe rregullatore.
Seminari (workshop-i) synon të kontribuojë në modernizimin e menaxhimit kufitar dhe krijimin e procedurave më efikase për qarkullimin e mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.

