RTSH
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal tek miqësia shqiptaro-amerikane, duke e cilësuar si një marrëdhënie të veçantë dhe të qëndrueshme.
Rama foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më 16 shtator u dënua me 25 vite burg nga Gjykata Speciale në Hagë.
Kryeministri është shprehur se ish-Presidenti Joe Biden e ka tradhtuar Hashim Thaçin, i cili e përshkroi Thaçin si një figurë historike për Kosovën dhe shprehu kritika ndaj mënyrës se si është trajtuar nga aleatët ndërkombëtarë.
“Dua të shpreh kënaqësinë që ndaj këtë moment sonte me ju, me miqtë, me përparimin. I kërkoj ndjesë gjithkujt që ndoshta do ndihet i shpërfillur, por dua të them se gjëja më e mirë që ndodh sot është që gjendem krah kumbarit të komunitetit shqiptar…”
Por menjëherë pas këtij hyrje, ai ndali vëmendjen tek mungesa e Hashim Thaçit.
“Po kështu më bën të vuaj mungesa e dikujt që ka qenë gjithmonë këtu, ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Jo Biden-i e tradhtoi, sepse edhe gjenerali Clark bëri më të mirën. Ky vend nuk bëri më të mirën për Thaçin, për George Washington-in e Kosovës.”
Rama e përshkroi ndjesinë e tij si një ndjenjë tradhtie, duke theksuar se shqiptarët janë një komb i vogël, por gjithmonë kanë festuar miqësinë me SHBA:
“Askush nuk duhet të më keqkuptojë, sepse kur them i tradhtuar dua të them se ne jemi shumë të vegjël dhe së bashku nuk jemi të mëdhenj. Por ne kemi kremtuar dhe kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë jemi miq me më të mëdhenjtë dhe me më të fortët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj them ndihem i tradhtuar sepse jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste.”

