Nëntë persona janë arrestuar të dielën në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mbështetje të njësive të tjera të specializuara policore.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe është koduar me emrin “Dosja 23”.
Operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për personat e arrestuar apo veprimet konkrete për të cilat dyshohen.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për detaje të mëtejshme rreth operacionit dhe veprimeve të ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.

