Tuesday, September 29, 2026
HomeLajmeVuçiq jep dorëheqje nga posti i presidentit, Serbia para zgjedhjeve

Vuçiq jep dorëheqje nga posti i presidentit, Serbia para zgjedhjeve

Aleksandër Vuçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, duke përfunduar para kohe mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Ai tha se dëshiron të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit si “qytetar i zakonshëm”. Deri në fund të dhjetorit Serbia duhet të mbajë edhe raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Aleksandër Vuçiq ka dhënë të dielën në mbrëmje dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, funksion të cilin e mbajti që nga viti 2017.

Para adresimit zyrtar, ai iu drejtua edhe qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Presidencës në Beograd. Më pas, në fjalimin e tij të fundit si president, tha se dorëheqja shënon hapjen e një kapitulli të ri politik për Serbinë.

“Sot është dita, të nderuar qytetarë, kur jap dorëheqje dhe, për herë të fundit në funksionin e presidentit të Republikës, do të përpiqem të them disa fjalë për kapitullin e ri që është para Serbisë dhe për atë që duhet të bëjnë ata që fitojnë besimin e popullit”, tha Vuçiq.

Ai më pas nënshkroi tekstin e dorëheqjes, duke iu referuar nenit 116, paragrafi 5, të Kushtetutës së Serbisë. Dorëheqja i dërgohet Kuvendit, ndërsa detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes e merr përkohësisht kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq.

Dorëheqja vjen më pak se një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Vuçiq ka shpjeguar se dëshiron të marrë pjesë në fushatë si qytetar, ndërsa është bartës i listës “Aleksandër Vuçiq – Serbia e Bashkuar”.

Ai konfirmoi se Serbia, pas zgjedhjeve parlamentare, do të hyjë edhe në një proces të ri zgjedhor presidencial.

“Deri në fund të dhjetorit do të duhet të kemi zgjedhje presidenciale, raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa para kësaj, siç e dini, më 25 tetor kemi zgjedhjet parlamentare”, tha Vuçiq.

Duke folur për prioritetet e presidentit të ardhshëm, Vuçiq veçoi edhe Kosovën. Ai tha se kushdo që merr funksionin duhet, sipas tij, të “mbrojë interesat kombëtare të Serbisë dhe popullin serb në Kosovë”, duke shtuar se Serbia paralelisht duhet të vazhdojë zhvillimin ekonomik dhe investimet në teknologji, arsim dhe inovacion.

Në fjalimin e dorëheqjes ai foli edhe për rezultatet e dy mandateve të tij, ekonominë, infrastrukturën dhe rrugën evropiane të Serbisë. Tha se vendi duhet të vazhdojë integrimin evropian, por njëkohësisht të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe të investojë më shumë në arsim dhe inovacion.

Vuçiq u zgjodh president për herë të parë në vitin 2017, ndërsa mandatin e dytë e fitoi në vitin 2022. Mandati i tij do të përfundonte në vitin 2027, por ai vendosi ta ndërpresë para kohe për t’u përfshirë drejtpërdrejt në fushatën parlamentare.

Me dorëheqjen e Vuçiqit, Serbia hyn kështu në një periudhë me dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme: zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 25 tetor dhe zgjedhjet presidenciale, raundi i parë i të cilave, sipas tij, duhet të mbahet deri në fund të dhjetorit.

Në këtë periudhë, Vuçiq largohet nga funksioni institucional i presidentit, por jo nga skena politike. Ai tani kalon drejtpërdrejt në fushatën parlamentare. Dorëheqja i mundëson atij të synojë edhe postin e kryeministrit nëse pas zgjedhjeve formohet një qeveri e udhëhequr nga lista e tij.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram