Një stërvitje e përbashkët mes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policisë së Kosovës po zhvillohet sot në Prishtinë, me fokus reagimin ndaj situatave të turmave dhe trazirave.
Ushtrimi është organizuar në kompleksin e EULEX-it, në zonën industriale të kryeqytetit, dhe përfshin angazhimin e pjesëtarëve të dy institucioneve, si dhe përdorimin e pajisjeve të nevojshme për realizimin e skenarëve të stërvitjes.
Sipas njoftimit, aktiviteti ka për qëllim testimin dhe avancimin e gatishmërisë operacionale, si dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet strukturave të sigurisë.
Stërvitje të tilla zhvillohen në kuadër të aktiviteteve të rregullta të reaguesve të sigurisë në Kosovë dhe synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në raste të situatave të sigurisë që kërkojnë reagim të koordinuar.

