Shefja e Grupit Parlamentar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në një konferencë për medie mbajtur sot, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, theksoi se si parti kanë qenë të bashkuar për ta mbrojtur kontributin e UÇK-së.
“Si deputet, por edhe si grup parlamentar, jemi të vetëdijshëm plotësisht që kemi përgjegjësi edhe institucionale, që ta vlerësojmë dhe ta lartësojmë kontributin e djemve e vajzave tona në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës, për lirinë që e gëzojmë sot, andaj e kemi borxh ta mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare. Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe t’i respektojë parimet demokratike, të funksionojnë institucionet e saj të pavarura për sigurimin e drejtësisë, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.
Ndër të tjera, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se LDK-ja nuk është aktualisht në një situatë për të dhënë qëndrim për ose kundër një kandidati për president, por ka treguar se partia e saj është e gatshme të kontribuojë në funksionalizimin e institucioneve.
“Ka shumë procese të rëndësishme që priten të ndodhin, edhe e presidentit. U koordinuam edhe për këtë deklaratë. Kemi vullnetin maksimal që t’i konkretizojmë hapat që institucionet tona të kryejnë, secila prej tyre, obligimet e veta, dhe të kemi sa më parë zgjidhje për secilin problem që institucionet e Kosovës të funksionojnë. Ne si parti kemi thënë që është e rëndësishme t’i shmangim zgjedhjet, por duhet vullnet nga të gjitha grupet parlamentare, nga të gjitha partitë politike. Ne të vetëm s’mund t’i japim president Kosovës, por jemi të gatshëm të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve”, shtoi ajo.

