Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë vizitës në selinë globale të Bloomberg në New York, ka diskutuar për ndryshimet gjeoekonomike dhe ndikimin e inteligjencës artificiale dhe të të dhënave të mëdha në ekonominë globale.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, në takimet në Bloomberg është diskutuar edhe për mundësitë që teknologjia dhe inovacioni krijojnë për qytetet dhe ekonomitë në zhvillim.
Në këtë kuadër, Rama ka prezantuar potencialin e Prishtinës, veçanërisht sa i përket të rinjve dhe sektorit të teknologjisë. Komuna e Prishtinës e përshkruan kryeqytetin si një qytet me një popullsi të re dhe me potencial në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Gjatë vizitës, sipas njoftimit, kryetari Rama ka paraqitur edhe ambicien për lidhje më të fuqishme të Prishtinës me ekonominë globale, teknologjinë dhe mundësitë ndërkombëtare.
Vizita në Bloomberg është pjesë e aktiviteteve të Ramës në New York, ku fokusi është vendosur te zhvillimet ekonomike dhe teknologjike dhe mundësitë për integrimin e Prishtinës në rrjetet globale të inovacionit dhe ekonomisë.

