Një stuhi e fortë verilindore goditi zonat bregdetare në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkaktoi përmbytje të gjera dhe ndërprerje të energjisë elektrike, si dhe një kolaps trafiku. Stuhia preku një zonë të gjerë nga Virxhinia në Maine, dhe guvernatorët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit shpallën gjendje të jashtëzakonshme, raportoi agjencia e lajmeve AP .Stuhia mori gjithashtu një jetë. Në Nju Jork, 56-vjeçari Leighton Brown , një punonjës i vjetër për autoritetin e strehimit të qytetit, u vra kur një pemë ra mbi të në pjesën lindore të Bruklinit, ndërsa ai po punonte në një turn emergjence në terren.
Një kombinim i valëve të fuqishme të baticës dhe shirave të rrëmbyeshëm ka përmbytur shumë komunitete të ulëta. Pjesë të Nju Xhersit kanë marrë më shumë se 10 centimetra shi që nga e premtja, duke e çuar nivelin e ujit në nivele të papara në zonë në gati një dekadë. Më shumë se 160,000 shtëpi mbetën pa energji elektrike, sipas sistemit të monitorimit PowerOutage, me komunitetet bregdetare nga Nju Xhersi në Konektikat më të goditura.

Për shkak të erërave të forta që arritën shpejtësinë prej 86 kilometrash në orë, u shfaqën probleme të mëdha në trafikun ajror dhe rrugor. Kompanitë ajrore anuluan ose vonuan mijëra fluturime përgjatë bregdetit, duke përfshirë më shumë se 250 fluturime vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit. Organizatorët anuluan gjithashtu ngjarje të shumta sportive dhe kulturore, duke përfshirë ndeshje bejsbolli dhe futbolli, koncertin e Ed Sheeran në një stadium pranë Bostonit dhe festivalin Global Citizen në Parkun Qendror të Nju Jorkut, ku ishin planifikuar të performonin Lauryn Hill , Wyclef Jean dhe John Legend , njoftoi BBC .

Pasojat e rënda të stuhisë u vuajtën edhe nga banorët e lagjes Sea Bright në New Jersey, ku çdo baticë e re sillte një valë të re uji në shtëpi.
“Çdo baticë e re sjell një valë të re përmbytjesh. Ky nuk është një incident i vetëm, gjithçka laget vazhdimisht”, tha banorja
Caroline Virenius , garazhi i së cilës u mbush me rreth 30 centimetra ujë.
Carole Ann Palmer , pronarja e një dyqani pajisjesh peshkimi në North Beach Haven, tha se këto ishin përmbytjet më të këqija që kishte përjetuar në dhjetë vjet.
“Dje mendova, Zot i madh, uji po shkon gjithnjë e më lart,” tha Palmer.

Stuhia i shkatërroi shkallët e përparme dhe ajo i pa fqinjët e saj duke lundruar me kajak nëpër rrugë. Problemi i saj më i madh ishte nxjerrja e këlyshëve, kështu që iu desh t’i mbante një nga një mbi ujë deri në tokë të thatë me çizmet e saj të peshkimit.
Banori Bernard Dowd iu desh të kalonte nëpër ujë për të arritur në shtëpinë e tij, pasi bodrumi i tij u mbush me ujë si një pishinë një ditë më parë. Ai vuri në dukje se dëmi do të kishte qenë edhe më i keq nëse nuk do të ishin zbatuar rregullore të reja pas superstuhisë Sandy për të rritur lartësinë e themeleve të shtëpive.

Edhe pse stuhia po dobësohet gradualisht, Shërbimi Kombëtar i Motit dhe autoritetet lokale po i paralajmërojnë qytetarët se rreziku nuk ka mbaruar dhe se një baticë e re mund të sjellë përmbytje të tjera.

