Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.B. shtetas i Republikës së Shiqipërisë, për shitblerje të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, më datë 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon dhe transporton substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.
“Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione, ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij të markës “Ford Focus” ndalet në parkingun e restorantit “O…”. Pas kontaktimit dhe identifikimit të të pandehurit nga hetuesit policorë, është kryer kontrolli në automjetin e tij, ku në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë (10) qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin marihuanë, substanca e dyshuar narkotike është sekuestruar nga hetuesit policorë”, vazhdon njoftimi.
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), është konstatuar se substanca narkotike e sekuestruar, e llojit marihuanë, ka peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855.9 gramësh.
Me këto veprime i pandehuri A.B. ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.2 të KPRK-së.

