Wednesday, September 30, 2026
HomeEkonomiBordi i AKP-së miraton vendime për privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve

Bordi i AKP-së miraton vendime për privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë vendimesh në kuadër të proceseve të privatizimit, administrimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Sipas njoftimit të AKP-së, në kuadër të shitjeve përmes tenderit publik, Bordi ka aprovuar transaksionet e ShAL 75, ku janë pranuar oferta për 38 asete me vlerë fillestare prej 10.34 milionë eurosh. Prej tyre, 35 oferta janë aprovuar, dy janë anuluar, ndërsa një shitje është pezulluar për shkak të një vendimi gjyqësor.

Gjithashtu, është vendosur që të shpallet vala e re e privatizimit, ShAL 76, me gjithsej 147 asete. Nga to, 21 janë propozime fillestare, ndërsa 126 janë ritenderime.

Në lidhje me shitjet direkte, Bordi ka aprovuar tri kërkesa si të ligjshme dhe ka udhëzuar menaxhmentin për vazhdimin e procedurave. Ndërkohë, 12 kërkesa janë refuzuar. Po ashtu, janë miratuar 11 raporte përfundimtare të shitjeve direkte dhe është autorizuar vazhdimi i procedurave për përmbylljen e tyre.

Bordi ka marrë vendime edhe për përcaktimin e statusit të disa aseteve, duke konstatuar se asetet e ndërmarrjeve “Tehnogas” Kraljevo dhe “Radan” Lebane, në rastet përkatëse në Kosovë, janë pronë shoqërore dhe bien nën administrimin e AKP-së.

Në fushën e qiradhënies, janë miratuar rezultatet e tenderit publik për asetet e NSH “Jatex”, ndërsa është aprovuar edhe transferimi i dy kontratave të qiradhënies.

Sa i përket likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi ka miratuar shpërndarjen e 29,901.40 eurove për 47 kreditorë të NSH “Gërmia” dhe 48,499.90 eurove për një kreditor të NSH “Tregtia e Kosovës”.

Në mbledhje është miratuar edhe buxhet shtesë për pesë ndërmarrje shoqërore, procedurat e likuidimit të të cilave ende nuk kanë përfunduar.

Ndër vendimet e tjera, Bordi ka emëruar kryesuesin dhe një anëtar të Komitetit të Auditimit të AKP-së, pas përfundimit të mandateve përkatëse, si dhe ka miratuar Termat e Referencës për zhvillimin dhe integrimin e modulit për raportet dhe veprimet në terren në sistemin ERP/SIM-AKP.

AKP ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e mandatit të saj ligjor në proceset e privatizimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram