Wednesday, September 30, 2026
HomeLajmeKosovëKurti:Aktgjykimi i Speciales i padrejtë, do të bëjmë të pamundurën për korrigjim

Kurti:Aktgjykimi i Speciales i padrejtë, do të bëjmë të pamundurën për korrigjim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se aktgjykimi i Speciales në Hagë është i padrejtë.  Ai tha se deklarata në Kuvendin e Kosovës është hapi i parë dhe shpreh vullnetin e popullit. Kurti tha se do të bëjnë të pamundurën për korrigjimin e këtij aktgjykimi në Apel.

Kurti, ka folur edhe për vizitën që ka zhvilluar në SHBA, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku tha se atje ka folur për personat e zhdukur, të drejtat në Luginën e Preshevës, ekonomi etj.

Kurti: Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës rreth Aktgjykimit është hapi i parë i përbashkët, që, më shumë sesa krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij.

“Andaj, mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar të kësaj thirrjeje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoren si rëndesë apo dëm në dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, do të bëjmë gjithçka dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli dhe drejtësia”, tha Kurti.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë për liri dhe çlirim.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi një normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhën e afatit për zgjedhjen e presidentit ose presidentes, na vë përpara një situate urgjente për veprim”, tha Kurti.

Kurti kërkon veprime të përbashkëta për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar takime të ndara me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, për të diskutuar për veprimet që do të ndërmarrin pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ka garantuar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe gjithçka që dinë dhe munden, së bashku me kolegët e ekzekutivit. “Të dielën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe sfidat që na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror”, tha ai.

Kurti: Zgjedhjet e reja, të përsëritura, të panevojshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe për çështjen e presidentit. “Ne kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e dimë që ajo u shkel e u braktis nga gjashtë deputetët e saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre. Para nesh, sot, kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit presidentin ose presidenten e re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme.Rrjedhimisht, zgjedhjet e reja, të përsëritura, të panevojshme e të kushtueshme, me pasoja të rënda, gjithsesi janë të shmangshme. Andaj, le të ulemi bashkë, sepse zgjedhjet e reja, në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish do të na çonin në zgjedhje. Ato, përveç se do të na linin edhe një herë pa Kuvend, këtë herë do të na linin edhe me pasiguri për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq, Qeveria do të mbetet në detyrë”, tha Kurti.

Ai tha se qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi. “Më lejoni që të citoj pikën e tretë të deklaratës që u votua me 99 vota për: “Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e të vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

”Qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi, ndërsa kanë nevojë për institucione që të vazhdojnë punën, për ekonomi që vazhdon të rritet dhe për projekte që ecin përpara. Kosova nuk e ka luksin të humbë kohë në kriza të panevojshme. Duhet ta kuptojmë qartë: nuk kemi nevojë të shkojmë pandërprerë, pa numër, në zgjedhje vetëm për të arritur në të njëjtën pikë. Me këtë deklaratë ne kemi hapur një kapitull të ri të bashkëveprimit dhe bashkërendimit të brendshëm”, tha ai.

Duke shtuar se, se çdo proces zgjedhor është një kontekst i ri, “mbi të cilin duhet të reflektojmë institucionalisht, ashtu që të kemi mundësi për marrjen e përgjegjësive që kemi përpara, me detyra e funksione të shumta, krijimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, si dhe që mbrojtjen juridike dhe përballjen diplomatike t’i kemi të suksesshme, pra triumfuese nëpër botë”, tha Kurti.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka folur edhe për bashkimin e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram