Raportimet dhe publikimet nëpër mediat online dhe rrjetet sociale për episode audiovizive intime personazh me njohje publike dhe me investim publik, janë pjesë shqetësuese dhe ndotjeje etike publike, janë akt antiligjore dhe shkaktojnë pasoja dhe impakte të dënueshme nga vetë shoqëria e aq më tepër nga komuniteti i mediave dhe gazetarëve profesionistë. Qarkullimi i tyre, shpërndarja dhe përdorimi në kontekste të ndryshme, janë cënime të kodeve etike dhe shkelje e Kodit Etik të Mediave.
UGSH vëren se niveli i ndotjes etike në hapësirën online shqiptare po njeh nivel të ri alarmues.
Lëndimet, përdhosjet dhe shkeljet e normave të privatësisë dhe privacisë janë bërë të shpeshta dhe inkurajojnë një të ashtuquajtur “ entitet të gazetarisë rozë”. Shpërndarja dhe publikimi i sekuencave apo videove me imazhe erotike në kushte dhe mjedis privat të personave me njohje dhe impakt publik në rrethana hakerimi apo për arsye që meritojnë hetim, përbën një akt të paskrupullt.
Në jo pak raste përdorimi i këtyre episodeve, videove dhe materialeve private në akte mediatizuese dhe procese sulmimi ndaj personave publikë, pason me drama të rënda psikologjike, morale dhe familjare.
UGSH bën apel për respektim të parimeve dhe neneve të Kodit Etik të Medias Shqiptare.
Kërkon nga mediat dhe veçanërisht editori i spektrit multimedial i hapësirës shqiptare, organizatat dhe entet profesionale dhe publike, të ndërhyjnë me energjizëm dhe kurajo ndaj kësi fenomenesh, rastesh dhe praktikash për ndalimin dhe moshpërndarjen e tyre në publik.
UGSH vëren se nismat vetërregulluese ndaj këtij realiteti problematik duhet të paraprijnë nismat rregulluese.
Eshtë e domosdoshme të riprojektohet një aleancë gjithëbashkuese aktorësh të vetërregullimit në komunitetin e gazetarëve profesionistë dhe në partneritet me editorët e spektrit multimedial të vendit si dhe me institucionet vetërregulluese.
Zyra Informuese e Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

