Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka ngritur çështjen e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës gjatë Takimit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Mal të Zi.
Në fjalën e tij gjatë diskutimeve për të ardhmen evropiane të rajonit, Konjufca ka veçuar pasivizimin e adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Pasivizimi i adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore janë probleme konkrete që kërkojnë zgjidhje konkrete. Të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen dhe të respektohen njësoj për të gjithë”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Konjufca ka zhvilluar diskutime me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe homologë të tjerë nga rajoni.
Ai ka theksuar nevojën për një bashkëpunim rajonal të bazuar në barazi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Një marrëveshje ka vlerë vetëm kur zbatohet”, ka deklaruar Konjufca, duke iu referuar edhe marrëveshjes për lëvizjen e lirë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të mund të udhëtojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë vetëm me letërnjoftim, në përputhje me marrëveshjen e arritur në kuadër të këtij procesi.
Konjufca ka folur edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, duke kërkuar që progresi i arritur të pasohet me hapa konkretë në procesin e integrimit.
“Për Kosovën, integrimi evropian duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave dhe rezultateve. Progresi i arritur duhet të pasohet nga hapa konkretë në procesin e integrimit, që për Kosovën nënkupton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka shkruar ai.
Në fund, Konjufca ka vlerësuar se Procesi i Berlinit e dëshmon vlerën e tij atëherë kur bashkëpunimi rajonal shndërrohet në rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët.

