Një burrë nga Kolorado është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një vajze adoleshente në San Francisko në vitin 1978, raporton CBS News . Autoritetet thanë se 80-vjeçari Mark Personette do të jetë i kualifikuar për lirim me kusht pas shtatë vitesh. Personette u dënua në nëntor 2025 për vrasjen e 15-vjeçares Marissa Harvey.
Marissa Harvey jetonte në New York City dhe po vizitonte motrën e saj në San Francisko në kohën e vrasjes së saj. Më 27 mars 1978, ajo shkoi për të hipur mbi kalë në Golden Gate Park të qytetit dhe nuk u kthye më kurrë. Policia e gjeti trupin e saj të nesërmen në Sutro Heights Park aty pranë. U përcaktua se ajo ishte mbytur dhe sulmuar seksualisht.
Testimi i ADN-së në fillim të viteve 2000 zbuloi një profil mashkullor në rrobat e viktimës dhe në një copë çamçakëzi të tharë të ngjitur në shpinën e saj. Megjithatë, hetimi u ndalua më pas pasi detektivët nuk kishin më asnjë pistë të dobishme. Njësia e Çështjeve të Pazgjidhura e rihapi hetimin në vitin 2020.

Personette u identifikua si një i dyshuar i mundshëm nëpërmjet teknologjisë së përparuar të ADN-së dhe gjenealogjisë hetimore. Ndërsa e ndiqnin, hetuesit e FBI-së e panë duke hedhur mbeturina në parkingun e një qendre tregtare më shumë se 19 kilometra larg shtëpisë së tij në Denver. Mbeturinat përmbanin vetëm artikuj higjiene personale me ADN-në e tij mbi to.
Prova të tjera u mblodhën gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, ku u gjetën harta të San Franciskos nga vitet 1970 dhe targa të Kalifornisë me një afishe nga viti 1979, edhe pse Personette më parë kishte mohuar të kishte qenë ndonjëherë në qytet. Testet e mëvonshme të ADN-së konfirmuan se profili i tij përputhej me gjurmët e gjetura në rrobat dhe çamçakëzin e viktimës.
Një grua tjetër që u përdhunua nga Personette në një zonë të pyllëzuar të New Jersey në vitin 1979, kur ishte 16 vjeç, dëshmoi gjatë gjyqit. Prokurorja e Qarkut Brooke Jenkins bëri një deklaratë në lidhje me vendimin dje.

“Pas pothuajse 50 vitesh, z. Personette më në fund po mbahet përgjegjës për krimet e tmerrshme kundër Marissa-s dhe do ta kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg. Ndërsa asgjë nuk mund ta kthejë Marissa-n te familja e saj, shpresoj që vendimi i sotëm, pas gjithçkaje që kanë kaluar, t’u sjellë atyre një ndjenjë drejtësie”, tha ajo.
Ndihmësprokurorja e Qarkut Katherine Wells tha se dënimi i Personette i dha fund një pritjeje të gjatë për drejtësi për familjen. “Asnjë dënim nuk mund të kompensojë humbjen e paimagjinueshme që familja e Marissa ka vuajtur për dekada, por shpresoj që ky moment t’u sjellë atyre të paktën pak paqe.”
“Ka qenë një nder të punoj për të arritur drejtësi për Marisën dhe për të mbështetur familjen e saj, viktimën që dëshmoi me guxim dhe hetuesit dhe ekipin e prokurorisë që nuk hoqën dorë nga e vërteta”, tha Wells.

