Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se takimi me kryeministrin Albin Kurti ka përfunduar pa marrëveshje.
Hamza ka deklaruar se, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që palët të takohen sërish në ditët e ardhshme.
“Ne biseduam për situatën aktuale politike, për situatën që ka të bëjë me procesin që po zhvillohet në Hagë, me aktgjykimin e Hagës. Na nevojitet që ligji të procedohet dhe të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tema e zgjedhjes së presidentit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, e dini, është nevojë, është domosdoshmëri aprovimi i ligjit. Pastaj, ne jemi të hapur që të diskutojmë për presidentin, me qëllim që vendit t’i japim president. Nuk ka marrëveshje. Deri më tani nuk është që kemi marrëveshje për temat që kemi biseduar. Është e mundshme që do të kemi takime edhe ditëve në vijim”, tha Bedri Hamza pas takimit me Kurtin.
Hamza arrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga deputeti Rrahman Rama, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë, ku pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në takim pritet të diskutohen ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Takimi vjen pasi kryeministri Kurti ka deklaruar gjatë ditës se kanë filluar komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
“Kemi filluar komunikimet dhe, natyrisht, kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi presidentin”, ka thënë Kurti.

