Orkestra Simfonike e Korçës do të performojë për herë të parë në Prishtinë, më 8 tetor, në kuadër të bashkëpunimit kulturor dhe muzikor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Koncerti do të mbahet nga ora 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Petrika Afezolli.
Programi i koncertit përfshin vepra të kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja, Thoma Gaqi dhe Feim Ibrahimi, si dhe vepra të repertorit klasik botëror nga Wolfgang Amadeus Mozart, Antonín Dvořák, Pietro Mascagni dhe Johannes Brahms.
Organizatorët e cilësojnë këtë paraqitje si një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa koncerti shënon prezantimin e parë të Orkestrës Simfonike të Korçës para publikut të Prishtinës.
Koncerti mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës, Bashkia e Korçës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Aktiviteti realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike të Korçës.

