Saturday, October 3, 2026
HomeLajmeKosovëOVL UÇK kërkon amendament që të mos rihapen rastet e gjykuara më...

OVL UÇK kërkon amendament që të mos rihapen rastet e gjykuara më parë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament i veçantë për ndalimin e rihapjes së çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që, sipas saj, janë shqyrtuar dhe përfundimisht gjykuar më herët.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit të Kosovës, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL UÇK-ja ka kërkuar që kjo të përcaktohet qartë në kuadër të projektligjit.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas shqyrtimit të Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ju drejtohet me kërkesën që në kuadër të këtij projektligji të përfshihet një amendament i veçantë, përmes të cilit të përcaktohet qartë ndalimi i rihapjes së çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore, të cilat janë shqyrtuar dhe përfundimisht gjykuar nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo nga çdo gjykatë tjetër kompetente”, thuhet në kërkesën e OVL UÇK-së.

Sipas organizatës, një garanci e tillë ligjore është e domosdoshme për të siguruar parimin e sigurisë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem.

“Konsiderojmë se një garanci e tillë ligjore është e domosdoshme për të siguruar parimin e sigurisë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit askush nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte dhe rrethana për të cilat ekziston një vendim përfundimtar i një organi gjyqësor kompetent”, ka thënë OVL UÇK-ja.

Organizata ka thënë se kjo çështje është e rëndësisë së veçantë.

“Kjo çështje është e rëndësisë së veçantë, pasi që ish-udhëheqësit e UÇK-së janë gjetur fajtorë në shkallën e parë për raste të gjykuara më herët në procese gjyqësore të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në kërkesë.

Sipas OVL UÇK-së, kuadri ligjor duhet të sigurojë që ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze të mos përdoret si bazë për të rihapur të njëjtat fakte dhe rrethana.

“Për këtë arsye është e nevojshme që kuadri ligjor të sigurojë qartë se ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar”, ka thënë organizata.

OVL UÇK-ja i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të projektligjit.

“Organiata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i bënë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të zgjedhurve të popullit që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të Projektligjit, duke garantuar mbrojtjen efektive të sigurisë juridike, parimit të barazisë para ligjit dhe të drejtës për një proces të drejtë”, thuhet në kërkesë.

Organizata ka thënë se një garanci e tillë është e rëndësishme edhe për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit në institucionet e drejtësisë.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së beson se një garanci e tillë është e rëndësishme jo vetëm për ish-udhëheqësit e UÇK-së, por edhe për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit në institucionet e drejtësisë”, thuhet në kërkesë.

Tutje, OVL UÇK-ja ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme dhe që amendamenti përkatës të përfshihet në plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në kërkesë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram