Në ditën e fundit të shtatorit, Instituti Shkencor „Rajonet Perëndimore“ organizoi në Sofje një tryezë të rrumbullakët kushtuar „Problemeve aktuale të bullgarëve në Rajonet Perëndimore“. Përfaqësues të komunitetit bullgar nga Serbia, të institucioneve shtetërore dhe ekspertë konstatuan se gjatë 30 viteve të fundit problemet në Rajonet Perëndimore, në vend që të zgjidheshin, janë shtuar.
Ivan Nikollov
FOTO: BNR
Kryetari i Qendrës Kulturore-Informative në Bosilegrad, Ivan Nikollov, paraqiti problemet e ndërthurura demografike, administrative, ekonomike, arsimore dhe kulturore të bullgarëve etnikë në Serbinë Lindore. Ai i bëri thirrje shtetit bullgar të mësojë nga përvoja e Hungarisë dhe Kroacisë në mbrojtjen e pakicave të tyre. Ai deklaroi se do të ishte mirë që Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit të shndërrohej në një ministri të pavarur. Ai theksoi se procedurat për marrjen e shtetësisë bullgare, të drejtës së qëndrimit dhe për dëshmimin e origjinës bullgare janë jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe i detyrojnë aplikantët të përdorin ndërmjetës të panevojshëm.
Ai vuri në dukje se personat nga diaspora që marrin shtetësinë bullgare duhet të regjistrohen në adresat e tyre reale jashtë vendit dhe jo në adresa fiktive në Bullgari, sepse kjo praktikë ndërpret lidhjen midis autoriteteve bullgare dhe qytetarëve bullgarë në vendet fqinje. Ai rekomandoi përmirësimin e procedurave online për aplikimin në universitetet bullgare, sepse në formën e tyre aktuale ato lejojnë kopjimin gjatë provimeve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, gjë që ndikon negativisht në përzgjedhjen e studentëve.
prof.asoc. Edvin Sugarev
FOTO: BTA
Ish-konsulli i përgjithshëm në Nish, prof.asoc. Edvin Sugarev, theksoi se rishkrimi i historisë dhe shkatërrimi i monumenteve dhe varrezave ushtarake në Rajonet Perëndimore janë pjesë e një procesi që synon dobësimin e kujtesës historike dhe të identitetit etnik të bullgarëve. Sipas tij, përmes paraqitjes së Bullgarisë si agresore dhe fshirjes së fakteve që nuk përputhen me versionin serb të historisë, te të rinjtë bullgarë mbillen ndjenja faji për origjinën e tyre etnike, turpi dhe distancimi nga Bullgaria.
prof.asoc. Angell Xhonev
FOTO: BTA
Kryetari i Institutit Shkencor „Rajonet Perëndimore“, prof.asoc. Angell Xhonev, theksoi se, si alternativë ndaj identitetit kombëtar bullgar, propaganda shtetërore serbe promovon në komunitetin bullgar mundësinë që individët të vetëidentifikohen si pjesëtarë të etnisë shope ose turlashe. Ai vuri në dukje se midis dy regjistrimeve zyrtare të popullsisë në Serbi, në vitet 2010 dhe 2020, numri i personave që u vetëidentifikuan si shope u dyfishua, duke arritur në mbi 2 000 persona. Shumica e tyre janë nga zona e Caribrodit, veçanërisht nga rajonet e Pirotit dhe Nishit
Dr. Valentin Janev nga Instituti Shkencor „Rajonet Perëndimore“ mbajti një referat mbi ndotjen e shkaktuar nga industria minerare. Sipas tij, veprimtaria e minierave „Karamanica“ dhe „Grot“ gjatë dekadave të fundit ka ndikuar në zonën e rrethinës së Bosilegradit, në Moravën e Jugut dhe në territoret me popullsi bullgare. Ai vuri në dukje ndotjen e ajrit dhe të ujërave, praninë e metaleve të rënda, mbetjeve, si dhe pasojat për shëndetin e popullsisë. Si rrugë kryesore të përhapjes së ndotësve, Janev veçoi lumenjtë Karamaniçka dhe Ljubatska, të cilët derdhen në lumin Struma, që kalon edhe nëpër Bullgari, duke ndotur gjithashtu ujërat nëntokësore ndërkufitare, përfshirë edhe ato në Bullgari. Më 11 gusht të këtij viti, Dr. Janevit nuk iu lejua të hynte në Serbi dhe të takohej në Bosilegrad me delegacionin e Konventës së Bernës për ruajtjen e natyrës. Për këtë arsye, Instituti Shkencor „Rajonet Perëndimore“ po përgatit një vizitë të Dr. Janevit në Strasburg, ku ai do të informojë administratën e Konventës së Bernës pranë Këshillit të Evropës për këtë çështje.
Për fat të keq, i ftuari Zoran Xhurov, kryetar i Këshillit Bashkiak të Caribrodit, i cili ishte parashikuar në programin e tryezës së rrumbullakët, në momentin e fundit njoftoi se nuk do të merrte pjesë në forum. Organizatorët supozojnë se arsyet janë kryesisht politike dhe lidhen me zgjedhjet parlamentare që priten të zhvillohen në Serbi.
Prof. Dr. Ivan Canov
FOTO: Facebook/ Ivan Canov
Një referat jashtëzakonisht interesant për zgjidhjen e problemeve ekonomike në Rajonet Perëndimore mbajti prof. dr. Ivan Canov nga Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore. Në qendër të vëmendjes ishte shndërrimi i zonës ndërkufitare bullgaro-serbe në një korridor ose zonë të posaçme ekonomike. Sipas tij, në këtë zonë, me ndihmën e instrumenteve të investimeve të mbështetura nga shteti bullgar, duhet të mbështetet sipërmarrja private. Shkencëtari theksoi në mënyrë të veçantë se kjo nuk mund të realizohet pa pëlqimin e shtetit serb, respektimin e sovranitetit të Serbisë dhe zbatimin e së drejtës tregtare serbe. Canov nënvizoi se krijimi i zonës së posaçme ndërkufitare duhet të bazohet në një bashkëpunim trepalësh, ku, krahas Bullgarisë dhe Serbisë, të përfshihet edhe Bashkimi Evropian. Ekonomisti propozoi një model në të cilin Serbia të sigurojë tokën, fuqinë punëtore dhe bazën lokale të prodhimit, ndërsa Bullgaria të kontribuojë me kapital, teknologji dhe menaxhim. Në këtë mënyrë, Rajonet Perëndimore do të shndërroheshin nga një zonë periferike në një qendër midis dy shteteve.
Para forumit, kryetari i shoqatës “GLLAS” (“Zë”) nga Bosilegradi, Aleksandër Dimitrov, solli si shembull financimin e komunitetit kroat në Serbi, një model që mund të përdoret edhe nga Bullgaria. Ai tha se qyteti i Zagrebit dërgon një numër specialistësh, të cilët në praktikë punojnë për zhvillimin e rajoneve kroate në Vojvodina. Në një prononcim për Radio Bullgarinë, Dimitrov theksoi se jo gjithçka që bëjnë bullgarët në Rajonet Perëndimore është çështje parash.
Aleksandër Dimitrov
FOTO: BGNES
„Gjithçka kushton para, por jo gjithmonë paratë janë kryesorja. Nëse e do diçka, do ta bësh me zemër. Mendoj se do të gjesh një mënyrë. Dua të them se shpesh nisim pa para dhe më pas, në një mënyrë ose në një tjetër, arrijmë ta kryejmë punën tonë. Kjo natyrisht na kushton shumë përpjekje, shumë përkushtim dhe nganjëherë angazhon shumë njerëz. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër na mbështesin – qoftë me mjete financiare apo thjesht me punën e tyre; kjo nuk ka aspak rëndësi, sepse pa njërën dhe pa tjetrën gjërat nuk mund të realizohen. Nëse do të përmendja institucione të veçanta, do të lija pa përmendur ndonjërin, por dua të them se jemi mirënjohës ndaj kujtdo që na zgjat dorën dhe mendoj se me iniciativat tona, në një masë më të madhe ose më të vogël, e justifikojmë këtë besim“, tha kryetari i shoqatës./RB

