Monday, November 2, 2026
HomeLajmeKosovëTahiri kërkon mocion për votim në lexim të dytë, Haxhiu e kundërshton

Tahiri kërkon mocion për votim në lexim të dytë, Haxhiu e kundërshton

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që projektligji të votohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme, por një kërkesë e tillë ndërmjet pikave të rendit të ditës është kundërshtuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka paraqitur mocion procedural për shmangien nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Sipas propozimit të tij, amendamentet do të mund t’i adresoheshin Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30, ndërsa komisioni do ta shqyrtonte projektligjin deri në orën 15:30.

Më pas, komisionet e përhershme do ta shqyrtonin projektligjin deri në orën 16:30, ndërsa Komisioni Funksional për Legjislacion do t’ia paraqiste Kuvendit raportin me rekomandime deri në orën 17:00.

Tahiri kërkoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit të bëhet në seancën plenare në orën 17:30.

Ai kërkoi mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, duke theksuar urgjencën e çështjes.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së mocionit, duke thënë se mocionet procedurale nuk paraqiten ndërmjet pikave të rendit të ditës.

Haxhiu tha se ishte rënë dakord që fillimisht të zhvillohej një takim ndërmjet kryetarëve të partive politike dhe më pas të arrihej një dakordim për çështjen në fjalë.

Ajo i bëri thirrje PDK-së që të tërhiqet nga propozimi dhe që kryetarët e partive të takohen për të gjetur një zgjidhje.

“Dakorimi ishte pas takimit ndërmjet kryetarëve, përkatësisht Vetëvendosjes, kryeministrit Kurti dhe Bedri Hamzës, kryetarit të PDK-së, pastaj mund të vijmë me një dakordim për çështjen në fjalë. Kështu ishte marrëveshja, kjo u bë para shefave të grupeve parlamentare dhe nuk e kuptoj si ka mundësi pak prej kohës kur jemi marrë vesh vini dhe e ndryshoni qëndrimin”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se për shkak të urgjencës dhe ndjeshmërisë pas vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Kushtetuese “është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president, sepse ne mund ta votojmë ligjin, por ata atje, nëse ne shkojmë në zgjedhje, mbesin vetëm”.

“Prandaj unë sot ju ftoj, edhe si Kryetare e Kuvendit, edhe si ushtruese e detyrës së Presidentes, takohuni, merruni vesh dhe ejani në seancë. Nuk ka më të rëndësishme, po e përsëris, se presidenti. Jo për shkak të emrit të përveçëm, po nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për herë të dytë për shkak të presidentit. Është papërgjegjësi, është moskokëçarje në raport me përgjegjësinë që e kemi para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra, ju lutem që të veproni në përputhje me marrëveshjen”, ka shtuar Haxhiu.

Tutje kryeparlamentarja ka thënë se nuk është në rregull që të përdoret situata aktuale dhe të luhet me ndjenjat e protestuesve jashtë këtij Kuvendi dhe të bëhen propozime të tilla.

“Sepse këtu jemi edhe sot deri vonë, do të jemi sa të ketë nevojë, e kemi kohë edhe nesër. S’keni nevojë për mocione të tilla. Absolutisht asnjë nevojë nuk e keni për një gjë të tillë”, ka nënvizuar Haxhiu.

Ajo gjithashtu tha se çështja e UÇK-së nuk duhet të trajtohet si pronësi e një partie politike.

“UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja. UÇK-ja është e popullit të Kosovës. UÇK ka edhe Vetëvendosje, edhe në PDK, edhe në LDK, edhe në AAK, edhe të tjerë që janë në këtë sallë! S’keni nevojë me pas pronësinë mbi UÇK-në!”, tha Haxhiu.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram