Akademikja Justina Shiroka-Pula është propozuar nga kryeministri Albin Kurti për presidente të Republikës së Kosovës.
Shiroka-Pula aktualisht është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Në të kaluarën, ajo ka shërbyer edhe si ministre e Energjisë dhe Minierave.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK-u, Justina Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë, ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka vijuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb, ku ka diplomuar në vitin 1984.
Karrierën akademike e ka nisur në vitin 1978 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, fillimisht si asistente e lëndës “Kërkimet Operacionale”. Gjatë karrierës së saj akademike ka kaluar nëpër nivelet e avancimit akademik dhe në vitin 2004 është zgjedhur profesoreshë ordinare.
Gjatë angazhimit të saj në Universitetin e Prishtinës, Shiroka-Pula ka shërbyer si shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe anëtare e Bordit Drejtues të universitetit.
Ajo ka ndjekur gjithashtu studime, programe postdoktorale dhe trajnime akademike jashtë vendit, përfshirë Universitetin e Linzit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Propozimi i saj për presidente të Kosovës i hap rrugë procedurave institucionale për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

