Tuesday, October 6, 2026
HomeLajmeKosovëKPM apel mediave: Raportoni me saktësi gjatë protestave

KPM apel mediave: Raportoni me saktësi gjatë protestave

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve që, në kohën kur në vend po zhvillohen protesta dhe situata publike mbetet e ndjeshme, të raportojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe ndjeshmëri.

Në një komunikatë për media, KPM ka kërkuar që informacionet të verifikohen para publikimit dhe që raportimi të bazohet në parimet e saktësisë, paanshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

KPM ka paralajmëruar mediat që të shmangin titujt dhe formulimet senzacionaliste, si dhe publikimin e informacioneve të pakonfirmuara, thashethemeve apo pretendimeve të paraqitura si fakte.

Sipas KPM-së, në situata të tilla është i rëndësishëm ofrimi i kontekstit të plotë dhe dallimi i qartë ndërmjet faktit, pretendimit, opinionit dhe interpretimit.

Institucioni u ka bërë thirrje mediave që të tregojnë kujdes të veçantë edhe në përdorimin e pamjeve, deklaratave dhe materialeve që mund të ndikojnë në tensionimin e situatës.

“Në situata të tilla, roli i medias është veçanërisht i rëndësishëm. Publiku ka nevojë për informacion të saktë, të verifikuar dhe të kontekstualizuar, e jo për raportime që mund të shkaktojnë konfuzion, tensione të panevojshme apo polarizim të mëtejshëm të shoqërisë”, thuhet në komunikatën e KPM-së.

KPM ka theksuar se thirrja e saj nuk synon kufizimin e lirisë së medias apo të drejtës për informim, por ushtrimin e këtyre të drejtave me përgjegjësi dhe në interes të publikut.

Institucioni ka kërkuar që mediat të kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe në sqarimin e situatës, duke shmangur raportimet që mund të nxisin dhunë, urrejtje, konfrontim apo tensione ndërmjet qytetarëve.

“Publiku meriton të dijë çfarë ka ndodhur, çfarë është konfirmuar dhe çfarë mbetet ende për t’u verifikuar”, thuhet në komunikatë.

KPM ka përfunduar duke rikujtuar se përgjegjësia e mediave për informim të saktë bëhet edhe më e madhe në periudha të tensionuara.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram