Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media tha se PDK-ja do të votojë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe se pranon Justina Shiroka Pulën si presidente. Kundërkandidate e saj është Eliza Hoxha.
“Të nderuar përfaqësues të mediave, jam bashkë me 22 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. E dimë që janë orët e fundit, nuk është dashur të ndodhë kjo. Është dashur kjo të ndodhë shumë më herët, para shumë ditëve. Dhe mendoj që është dashur të ketë seriozitet në këtë çështje, edhe seriozitet për vendin se ku ndodhet dhe për situatën se ku do të shkojë vendi. Për Partinë Demokratike të Kosovës, ne nga kjo konferencë do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim të votojmë ligjin. Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe me e përfunduar këtë çështje. Dhe çështja tjetër është zoti Kurti, edhe pse ne s’kemi pasur mundësinë të bisedojmë me zonjën Shiroka Pula, po për Partinë Demokratike të Kosovës është një emër i pranueshëm për presidente. Përveç kësaj, ne me qëllim që të zhvillohen procedurat dhe të plotësohen kushtet, Partia Demokratike e Kosovës e propozon si kundërkandidate edhe zonjën Eliza Hoxha. Domethënë ne po shkojmë në sallë të Kuvendit, po i presim deputetët e partive të tjera politike, koha është e shkurtër dhe ne jemi të interesuar të kemi ligjin për Dhomat e Specializuara për peshën dhe rëndësinë që ka, që kemi folur sot gjatë gjithë ditës. Po jemi të interesuar, e kemi thënë vazhdimisht, edhe pse është dashur të jetë me të vërtetë kandidat me marrëveshje në tavolinë”, tha Hamza.

