Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, po merr pjesë në Seminarin Ndërkombëtar “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë: Një dekadë ndikimi”, që po zhvillohet në Tiranë.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe institucionet e drejtësisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Seminari është përqendruar në çështje që lidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përafrimin e institucioneve me standardet evropiane.
Gjatë sesioneve të paradites janë diskutuar rezultatet e arritura gjatë dhjetë viteve të zbatimit të Instrumentit Horizontal, si dhe sfidat që lidhen me avancimin e reformave dhe procesin e integrimit evropian.
Ndërkaq, sesionet tematike të pasdites trajtojnë pavarësinë e drejtësisë, qasjen në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, mbrojtjen e grupeve të cenueshme, si dhe lirinë e shprehjes dhe të medias.
Në përmbyllje të seminarit pritet të prezantohen mesazhet dhe prioritetet për të ardhmen, me synim forcimin e mëtejshëm të reformave në drejtësi dhe të partneritetit evropian në Ballkanin Perëndimor.

