Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se zgjedhja e presidentes së re të Kosovës dhe miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së duhet të shërbejnë si bazë për vazhdimin e përpjekjeve për ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.
Në një postim, Hamza ka thënë se shteti i Kosovës duhet të jetë pranë ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe familjeve të tyre, duke i mbështetur me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.
Ai ka falënderuar qytetarët që kanë protestuar në Prishtinë, qytete të tjera të Kosovës dhe në diasporë, duke thënë se ata janë bërë pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Hamza ka përmendur Deklaratën e Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, ligjin për mbrojtjen e UÇK-së dhe zgjedhjen e presidentes së re si zhvillime që, sipas tij, kërkojnë koordinim, bashkëpunim dhe mbështetje të përbashkët.
“Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm. Duhet të jemi të gjithë bashkë!”, ka shkruar Hamza.

