Wednesday, October 7, 2026
HomeLajmeKosovëJahjaga uron Shiroka-Pulën: Vazhdimësi e lidershipit të grave

Jahjaga uron Shiroka-Pulën: Vazhdimësi e lidershipit të grave

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një moment me peshë të veçantë për vendin dhe vazhdimësi të lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes.

“Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula, në detyrën më të lartë të shtetit është një moment me peshë të veçantë për Kosovën dhe një vazhdimësi domethënëse e lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes së Republikës”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka thënë se një jetë e ndërtuar mbi dije, punë, përkushtim dhe integritet tash merr përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit, për të ruajtur unitetin dhe për ta përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës.

Jahjaga ka theksuar se ky moment ka domethënie të veçantë edhe për të, duke folur për trashëgiminë e institucionit të presidentes dhe rrugët që lihen të hapura për ata që vijnë më pas.

“Trashëgimia e një institucioni nuk matet vetëm me atë që realizojmë gjatë një mandati, por edhe me rrugët që lëmë të hapura për ata që vijnë pas nesh”, ka thënë ajo.

Sipas Jahjagës, sa herë që një grua merr përgjegjësitë më të larta shtetërore, zgjerohet horizonti për çdo vajzë që guxon të ëndërrojë dhe për çdo grua që me punë e përkushtim synon të kontribuojë në vendimmarrje.

Në fund, Jahjaga i ka uruar Shiroka-Pulës që mandati i saj të jetë “një kapitull i denjë i shërbimit ndaj Republikës” dhe një dëshmi se lidershipi me dije, integritet dhe përgjegjësi lë gjurmë përtej një mandati. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram