Dhjetë persona u plagosën sot në një sulm me hanxhar në një shkollë në Ostroleka në Poloninë verilindore, tha guvernatori rajonal, dhe policia ndaloi një të dyshuar 19-vjeçar menjëherë pas incidentit.
Guvernatori i rajonit Mazovia, Mariusz Frankowski, u tha gazetarëve se nëntë persona u dërguan në spital, por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje kërcënuese për jetën.
“Midis të lënduarve janë pesë nxënës, dy mësues dhe dy persona që ndodheshin rastësisht në vendngjarje, si dhe vetë autori i krimit, i cili u vetëlëndua”, tha ai.
Ai sulmoi nxënës dhe mësues me një thikë
Policia raportoi se i dyshuari ishte nxënës në atë shkollë dhe se sulmoi njerëzit me një hanxhar.
Ekspertë për asgjësimin e municioneve shpërthyese u thirrën në vendngjarje. Prokurori i Shtetit Dariusz Korneluk i tha TVN24 se një pajisje shpërthyese e improvizuar u gjet në çantën e shpinës së sulmuesit dhe ishte gati të shpërthente.
Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve, Adrian Stupski, i tha transmetuesit shtetëror TVP Info se nxënësit u barrikaduan në klasa për vetëmbrojtje përpara se të evakuoheshin.
Motivi i sulmit është i panjohur. Incidente të tilla janë të rralla në Poloni, por në shtator, policia ndaloi një 13-vjeçar të dyshuar për planifikimin e sulmit dhe gjeti një thikë në çantën e tij.

