ATSH
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot mazhorancën se me 85 votat në Kuvend kundërshtoi interesat e qytetarëve, pas miratimit të reformës administrativo-territoriale që parashikon riorganizimin e 15 bashkive, mes tyre Patosin dhe Divjakën.
Në takimin e “Foltores së Ripërtëritjes” në Fier, Berisha e cilësoi vendimin si goditje ndaj vetëqeverisjes vendore, duke kundërshtuar ndryshimet që prekin këto njësi administrative.
Ai vlerësoi potencialin bujqësor dhe natyror të Divjakës, duke e përshkruar zonën si një qendër të rëndësishme për fermerët dhe eksportin e produkteve bujqësore. Sipas tij, këto zona kanë mundësi zhvillimi dhe duhet të ruajnë vetëqeverisjen vendore.
Berisha akuzoi gjithashtu përfaqësuesit e mazhorancës se vendimet e tyre lidhen me interesa politike dhe personale, ndërsa bëri thirrje për krijimin e një agjencie kombëtare për konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe rikthimin e tyre te qytetarët.
“Ne po mbronim qytetarin aty, se qytetari, pavarësisht çfarë është, demokrat, i paparti, socialist, aty ku e meriton duhet të ketë vetëqeverisjen e tij”, deklaroi Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen kundër reformës, duke theksuar se riorganizimi i bashkive dëmton interesat e komuniteteve vendore.

