Wednesday, October 14, 2026
HomeLajmeKosovëDhomat e Specializuara refuzojnë ftesën e Avokatit të Popullit

Dhomat e Specializuara refuzojnë ftesën e Avokatit të Popullit

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë refuzuar ftesën e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për të marrë pjesë në një tryezë diskutimi lidhur me gjetjet dhe rekomandimet për Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një përgjigje zyrtare, Dhomat e Specializuara janë thirrur në nenin 162, paragrafin 11, të Kushtetutës së Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia për këtë institucion i takon Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara.

“Përgjegjësinë ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në arsyetimin e tyre, duke iu referuar dispozitave kushtetuese që përcaktojnë kompetencat e këtij institucioni.

Sipas komunikatës, pjesëmarrja në tryezën e organizuar nga Naim Qelaj do të ishte e papërshtatshme, pasi mbikëqyrja dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara, sipas tyre, është përgjegjësi ekskluzive e Avokatit të Popullit të këtij institucioni, Pietro Spera.

Ftesa e refuzuar kishte për qëllim diskutimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të dala nga veprimet ex officio të institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë lidhur me Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ky zhvillim vë në pah mospajtimin institucional rreth kompetencave për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuadër të Gjykatës Speciale, si dhe rolin që duhet të ketë Avokati i Popullit i Kosovës në këtë proces.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram