Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar miratimin e një ilaçi të ri për trajtimin e kancerit të avancuar të pankreasit.
Ilaçi, i quajtur “daraxonrasib”, rekomandohet për të rriturit me kancer të pankreasit, që është përhapur në organe të tjera të trupit dhe që kanë marrë më parë të paktën një trajtim tjetër, njoftoi sot agjencia e Bashkimit Evropian.
Ilaçi është zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane “Revolution Medicines” dhe tregtohet me emrin “Rasonque”.
Ai është miratuar tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa pacientë me kancer të pankreasit, që është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Studimi tregon rritje të jetëgjatësisë së pacientëve
Në një studim klinik të fazës së tretë, ku morën pjesë 500 pacientë, personat që morën “daraxonrasib” jetuan pothuajse, dy herë më gjatë se ata që u trajtuan me kimioterapi, pasi sëmundja e tyre kishte përparuar pavarësisht trajtimit të mëparshëm.
Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave, koha mesatare e mbijetesës ishte 12,4 muaj për pacientët që morën “daraxonrasib”, krahasuar me 6,7 muaj për ata që iu nënshtruan kimioterapisë.
Ilaçi vepron duke synuar ndryshime të caktuara gjenetike që gjenden shpesh te kanceri i pankreasit, me qëllim pengimin e rritjes së tumorit.
Megjithatë, ilaçi nuk konsiderohet një kurë për këtë sëmundje.
Kanceri i pankreasit është ndër format më vdekjeprurëse të kancerit.
Një nga arsyet është se në fazat e hershme simptomat, shpesh mungojnë ose janë të paqarta.
Për këtë arsye, sëmundja zbulohet shpesh vetëm pasi ka përparuar.
Vlerësim i përshpejtuar
Agjencia Evropiane e Barnave e shqyrtoi “daraxonrasib” përmes një procedure të përshpejtuar, e cila përdoret për barna që mund të plotësojnë nevoja urgjente mjekësore.
Kjo procedurë lejon vlerësimin e të dhënave klinike të disponueshme, përpara se të dorëzohet një kërkesë e plotë për autorizimin e tregtimit të ilaçit.
Megjithatë, përpara se ilaçi të mund të shitet në Bashkimin Evropian, duhet të marrë autorizimin përfundimtar të tregtimit nga Komisioni Evropian.

