Thursday, October 15, 2026
HomeLajmeBegaj: Dhuna nuk është zgjidhje, Shqipëria ka nevojë për qetësi e dialog

Begaj: Dhuna nuk është zgjidhje, Shqipëria ka nevojë për qetësi e dialog

atsh

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u bëri thirrje qytetarëve dhe aktorëve të përfshirë në situatën e krijuar pas protestave të fundit që të shmangin dhunën dhe t’i japin përparësi dialogut, duke theksuar se vendi ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Kreu i Shtetit theksoi se se ka ndjekur protestat dhe kërkesat e qytetarëve, por edhe aktet e dhunës të dy ditëve të fundit.

“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve. Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit”, u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi rëndësinë e dëgjimit të zërit të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke nënvizuar se kërkesat e tyre meritojnë vëmendje.

“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim”, deklaroi ai.

Megjithatë, Begaj nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë mënyra për të shprehur pakënaqësitë, pasi ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.

“Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, theksoi Presidenti.

Në vijim, Kreu i Shtetit u bëri thirrje të gjithë aktorëve të zgjedhin maturinë dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.

“U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit”, tha Begaj.

Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për forcat e rendit në përmbushjen e detyrës së tyre dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, si punonjës policie, ashtu edhe protestues.

Në përfundim të mesazhit, Presidenti bëri të ditur se mbetet i hapur për të krijuar hapësira dialogu dhe mirëkuptimi, duke ftuar aktorët e përfshirë të angazhohen në bashkëpunim në interes të të rinjve dhe të vendit.

“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi, sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë”, përfundoi Begaj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram